Masat e reja në Gjermani
2 Nëntor 2020Në të gjithë Gjermaninë do të mbyllen deri në fund të nëntorit objektet e kulturës dhe aktiviteteve në kohë të lirë. Kafenetë dhe restorantet do të punojnë vetëm për shitjen e mallrave jashtë objekteve, pra mund të shesin ushqime që mund të merren me vete. Edhe për takimet e personave janë ashpërsuar masat: në ambiente të hapura mund të takohen vetëm anëtarët e dy familjeve, e kjo vlen pjesërisht edhe për takime në objekte të mbyllura. Hotelet nuk do të pranojnë turistë. Dyqanet edhe më tej mbeten të hapura, por me kushte shumë më të rrepta se deri tani. Shkollat dhe kopshtet mbeten të hapura.
Masat do të vlejnë tani për tani deri në fund të nëntorit. Nga mesi i muajit do të bëhet një bilanc i këtyre masave dhe do të shihet nëse ato kanë dhënë rezultatet e duhura. Por në përgjithësi mund të thuhet se masat e tanishme nuk janë aq të ashpra si në pranverë. Qëllimi është kufizimi i kontakteve, që të mos mbingarkohet sistemi shëndetësor në Gjermani - në veçanti puna e stacioneve intensive.
Numri i infektimeve në Gjermani po rritet
Instituti Robert Koch (RKI) ka njoftuar për 12.097 infektime të reja, brenda 24 orëve të fundit. Por shifrat në fundjavë janë zakonisht më të ulëta, sepse jo të gjitha Zyrat e Shëndetit Publik japin rezultatet në këto dy ditë. Në përgjithësi në Gjermani janë regjistruar deri tani 545.027 infektime me virusin Corona. Numri i të vdekurve është 10.530.
Shqetësimi më i madh në kohën e krizës së Coronës është në sektorin e kulturës dhe gastronomisë. Shumë prej tyre kanë frikë për ekzistencën. Krahas paketës së deritanishme ekonomike do të hartohet një paketë tjetër në vlerë prej 10 miliardë euro për të ndihmuar sipërmarrësit privatë, të cilët në nëntor do të kenë rënie të madhe. Juristët llogarisin se në të ardhmen do të ketë një valë ankesash para gjykatave.
Gjendje tepër e rëndë për turizmin dhe gastronominë
Eksperti i FDP për turizmin, Marcel Klinge, ka kritikuar vendimin për mbylljen e hoteleve dhe objekteve të gastronomisë. "Me mbylljen e objekteve të gastronomisë dhe ndalimin e fjetjeve në hotele për turistët, do të ketë skandal i madh për ofruesit e shërbimeve turistike", tha ai për gazetën "Augsburger Allgemeinen".
Kryeministri i Bavarisë, Markus Söder i ka mbrojtur masat. "Nuk ka në gjithë botën asnjë koncept tjetër më të mirë për reduktimin e kontakteve, për t'u mbrojtur nga Corona", tha Söder. "Sikur të kishte ndonjë koncept tjetër më të lehtë, ne me siguri që do ta aplikonim menjëherë." Përveç kësaj, kjo mbyllje e kufizuar nuk është aq e rreptë si në pranverë dhe si në vendet e tjera evropiane.
Ministri i Shëndetësisë Jens Spahn tha se muajt e ardhshëm do të kemi kufizime. Edhe nëse pas disa javësh hiqen vendimet e tanishme, ne prapë do të kemi masa kufizuese. "Askush nuk mund të përjashtojë mundësinë e rivendosjes së kufizimeve", tha Spahn në një intervistë për televizionin ZDF.
Puna e shërbimeve intesive
Shefi i Shoqatës së spitaleve në Gjermani, Gerald Gaß, mendon se numri i personave që kanë nevojë për trajtim intensiv në Gjermani do të rritet. "Në dy deri në tre javët e ardhshme do të shënohen shifra rekord në stacionet për trajtime intensive, që do të thotë se do të tejkalohen shifrat e prillit. Kjo nuk mund të evitohet. Personat që do të sillen tek ne në spitale brenda tre javësh, që tani janë të infektuar", tha ai për gazetën "Bild".
Ndërsa i ngarkuari i qeverisë për përkujdesin shëndetësor, Andreas Westerfellhaus, paralajmëroi mundësinë e zhvillimeve dramatike. "Shumë punëtorë në stacionet intensive janë duke punuar edhe sot buzë kapaciteteve të tyre dhe me të drejtë thonë se gjendja mund të përkeqësohet", tha ai. "Katastrofën mund ta evitojnë" vetëm një sërë masash që duhet ndërmarrë, e një ndër to është shtyrja e operacioneve që mund të shtyhen.
Zhvillimet në botë
Në mbarë botën janë regjistruar deri tani më shumë se 46,37 milionë të infektuar me virusin Corona. Këto shifra i ka publikuar agjensia Reuters, në bazë të të dhënave të veta. Kanë vdekur deri tani 1,19 milionë vetë. Ndërsa vendet me numrin më të madh të të infetkuarve janë SHBA, India, Brazili, Rusia, Franca dhe Spanja.
bc/bri/kle (dpa, rtr)